MIRË SE ERDHE LAMTUMIRË!...

PETRAQ KOTE


MIRË SE ERDHE LAMTUMIRË!...
poezi


Shtëpia e librit Globus R


Seria e botimeve “ poezia shqiptare ”




Titulli i origjinalit
Petraq KOTE
Mirë se erdhe Lamtumirë! … poezi


Redaktoi Agim VINCA
Alfred Mehmeti
Reçenzent Xhevahir SPAHIU
Xhelal Tosku
Halil Jaçellari
Korrektor letrar Dhurata HAJDINI
Kopertina u realizua nga Leonidha BULLGARI
Struktura grafike u realizua
- Metaphor studio – Tiranë
metaphor- studio@yahoo.com

©copyright: Petraq KOTE
Të gjitha të drejtat e këtij botimi në gjuhën shqipe janë të rezervuara

Botues Petraq RISTO
Shtëpia e librit GLOBUS- R




Ky botim u hodh në qarkullim në muajin janar 2006
shtypur në letër
tirazhi 500 kopje


------------------
isbn: 978-99943- 35- 91- 3




“ Nous laisserons ce - monde - ci aussi sot et mechant que nous
l’avons trouve en y arrivant “

Volter



Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli

Petraq Kote rri zgjuar mbi vargje, rima, figura, metafora… ai vjen nga apollonian e lashtë e Ilirisë, ku ngahera janë përkundur arti dhe poezia. I përket qerthullit të krijuesve të sotëm fierakë, që me veprat e tyre konkurojnë lirshëm në tregun e vlerave të letërsisë kombëtare. Poezia e Petraqit është poezi e një shpirti të rrebeluar, që s’pajtohet dot me gjendjen në të cilin është katandisur atdheu i tij.
Ai urren dogmat e të gjitha llojeve, që kufizojnë lirinë njerëzore dhe proteston zëshëm kundër tyre.
Kote është mjeshtër i peizazhit myzeqar, të cilit i jep një dimension universal.
Vargu i tij është i gjallë, dinamik, përplot tension emocional… Në vargjet e këtij libri buçet zëri i një poeti që ka unin e vetë; një zë thellësisht njerëzor e burrëror, që përballë së rëndomtës, absurdit e banales, vë ëndrrën për një botë më të mire e më njerëzore, ku njerëzit do të jenë njerëz e jo varre. Kemi të bëjmë me poezi që komunikojnë direkt me jetën e njerëzit e jo vargje libreske çfarë ka shumë në kohën tone. Në vend të skemave dhe kallpeve letrare, Kote preferon fjalën e gjallë e të frymëzuar poetike, ku nuk mungojnë gjetjet interesante, ritmi dinamik dhe figurat, here- herë, surreale…

Prof. dr. Agim VINCA
Prishtinë 2005

… E ngjeshur me emocione të lindura nga përjetime të thella, poezia e sotme pasqyron një lëvizje të brendëshme, një evolucion krijues në ide, formë, arsenal
Mjetesh shprehëse që të bëjnë për vete. Ndërkohë ndien se zërat poetikë… përbëjnë vlera të reja, ashti si filozofimet e Frederik Rreshpjes, Ndoc Gjetjes, Ervin Hatibit, Petraq Ristos, Pirro Shllakut, Petraq Kotes, të detyrojnë t’u kthehsh e rikthehesh poezive të tyre dhe të mendosh gjatë ato që pohohen në vargje…

Prof. dr. Adriatik Kallulli
Mehr Licht



… Poezia e Petraqit dhe proza është artikulim i guximit. Metafora e tij është sociale. Kërkon, arsyeton, rrebelohet. Jeta paradoksale është lënda e ndjeshmërisë së tij…

Prof. dr. Moikom Zeqo







Atdheu nuk është në ndonjë “ tokë ” afër
apo piedestal i përmendoreve tona,
atdheu është brenda nesh,
atdhe
është njeriu,
varri.

petraq kote








Kombi rrjedh nga varret

Pasaportën fëmijës
ia jep varri i të parit të tij,
nuk ia jep djepi …

Janë përrenj ata që vdesin.
Lumi i etur “ i rritjes së lirë të kombit ” dhe “ i lirisë në rritje të dheut ”
i pi.
Duke zbritur nga majat e maleve,
kodrave,
rrëpirave,
fushave,
moshën çajnë
dheun vetvete.
Jetën ua shoh rrjedhë.
Vdekjen,
llum në grykëderdhje
për fusha,
male të reja,
shtretër të pahapur.

Ne,
nipërit,
mbesat,
përrenjtë e rinj
përkundemi dhe rritemi në prurjet e freskëta të vijave
pa kaligrafi,
që nisin e shkruhen tek varret,
këto shtëpi kodesh,
që mbajnë Margjinën Shqiptare mbushur
pa vahe,
pa cektina …

Tiranë, dimër 2005




Gjithmonë… tre varre…



Te kthes’e lumit që ka vdekur,
një copë shkëmbi
është atje.
E mbollën ca fshatarë në motin,
kur bridhte vdekja përmbi dhe’.

Në bregun tjetër ka një gur.
E vunë po ata fshatarë…
…shqiptar ishte dhe “ tradhëtari ”
me trimin, trimërisht qe vrarë.

…atëhere lumi ishte gjallë
dhe shkonte detit përkrenar!…

Tre varre janë tani, atje…
dy plaka qajnë, oi … oi
rrëzuar qyqet përmbi gurë…
po kush e qan lumin e zi?!

Tiranë, vjeshtë 2006





Nuk e di ç’të ardhme do të le?!

Sa herë që selvi të larta shoh,
e dua edhe më shumë gruan time.

Sa herë që male të lartë shoh,
fusha të paana,
i dua edhe më shumë djemtë, vajzat e mia.

Dhe pastaj më kujtohen gjyshërit,
stërgjyshërit,
baballarët,
që më shumë deshën atdheun …

Dhe për çudi,
Atdheu ( s’u rrit ) u zvogëlua!

Tiranë, maj 2005




Treni që i ikën dhimbjes

M’u kujtuan trarët e nderit të shtëpisë,
që traversa për hekurudhën
e jetës u vendosën;

edhe gjyshja me gjyshin,
që trenin e besimit tërhiqnin
mbi të cilin familja jonë e madhe udhëtonte.

Pastaj,
si babai dhe nëna i ndërruan një stacion,
një jetë …

Dhe tani që trenin e familjes sime të zhurmshme
unë tërheq,
më vjen të zihem me trarët që kalben,
çatinë që pikon
dhe jetën që mbaron në një jetë …

Dimër, Fier 2001




Plepi i tharë, gargujt dhe shkrimtari

Si kockë e shkulur nga qimiteri,
anë udhe është një plep i tharë,
ca garguj, ulur ndër degë, atje
mallkojnë të lodhur rrugën e marrë.
Një bufe strehë-rënë në rrëzë që i ngrihet
të vetëm brenda
ka një shkrimtar
edhe ai si gargujt me gotë shan brengën,
oh,
rrugë pa rrugë
në rrugën e marrë.
Shikon përpjetë,
kërkon t’u flasë,
dhëmballë e mendjes e shtrëngon,
sa shumë mundohet …
eh, më në fund,
truri i kafshuar
gojën liron.
… kanë qënë ca mote o zogj të zezë
kur shpirti i mirë sundonte dhenë …

pastaj mallkon vitet që shkel
dhe gojën kyç
e më s’rrëfen …

Tiranë, vjeshtë 2001






A s’vjen prej larti malli duke qar?!...

Ai malë që hekuros re
nga shpirti të zbardhura
me shpirt të nxir,
kalon mbi shpinën time të shtypur matan lumit të mendjes
e rrëzohet…
O, fusha ime e shtruar për Inën Adriatikase
në qafën e puthur
të lindjes së diellit më me sy në botë,
përse litarët e frikës nuk i këput që unë të të dua edhe më çart?!


Ti nuk e shikon këtë ujë kur dheut i arratiset ç’formuar,
a s’i vjen prej larti
Mallit duke qar?!...



Kau i plakur, lesa e ugarit dhe korbat

Sa herë festojmë ditëlindjen,
të zeztë ne,
ditëvdekjen festojmë…

Lesën e ugarit heq kau i plakur,
sterrin e korbave
mbi lesë që qajnë,
shkon mjeti i vjetër dhe shtyp dherishten,
zogjtë nga shtëpivdekja me thonj e mbajnë.
Sikur heq jetën mbi zvarrishte
çapit me thundra kafshë e gjorë …
zinxhiri i zisë
jo, nuk i shqitet,
çdo hallkë me sqep
ngordhja bën kor.

Dhe kur e lodhur kafshë e ligur,
diku
në fund are sapo qëndron,
reja e zezë e korbërisë
në çast e vret,
e gllabëron …


Fier, pranverë 2000



… fshatarët e rinj pa lavdi

Shkoj për në fatin tim të lindjes …
Dhjetëra vjet në çantën e shpinës
me pluhur,
me re,
me mjegull shqisash veshur.

Dikush m’a fsheh parjen !…

Mbi supe s’kam lavdi, thjesht kam pluhur,
pluhur natyre,
zëra të ndotur
dhe shikime të pista.
Për fat të keq
edhe vuajtjen,
pse miqtë i kam të zgjuar
dhe armiqtë budallenj!

Kur të arrij në fshat do ta shkund veshjen,
por
po e gjeta gjallë të dashurën,
se kujt tjetër t’i shfaqem pa këto re dhe pastër?!
Oh,
nuk mund ta kapërcej
poshtë pragut të fshatit
kështjellën ku dikur i mbrohesha armiqve të zgjuar;
paskan vënë
patjetër
poshtë kështjellës
edhe varrin e dashurisë time!

Një korb po më thotë se ka vdekur edhe varri,
mirë s’e kuptoj!
Kthehem …
i kthyer mbrapsht, si xhaketë e vjetër
tek rrobaqepësi qorr.

Sheqmarinas, tetor 2003


Burra që rrëzohen …

Mbështetem tek dita,
Rrëzohem;
mbështetem tek nata,
përsëri rrëzohem.

Edhe avionët e urrejtjes
mbushur me urrejtës
hyjnë në qiellin e shpirtit tim dhe rrëzohen mbi sofra që kanë uri,
e garderobë që kanë të ftohtë

Dita mbështetet tek trëndafilat e bardhë,
ndërsa nata ende s’po gjen një vend ku të mbështetet;
trëndafilat e zez ende s’janë
… prandaj nuset mbajnë në dorë trëndafila,
kanë ditën aty,
mbështetur
dhe burra që bien përherë …


Tiranë, vjeshtë 2005




Ti erdhe përgjysmë …

Ti erdhe tek unë në gjysmë të jetës,
gjysma tjetër të pat mbetur diku …
siç vjen gjysm’e gjelit nga përralla e vjetër,
siç vjen sirena nga deti blu.

Ti erdhe tek unë me gjysmë mendje,
në gjysmë shtrati u shtrive ti,
gjysmën e trupit më fale mua,
gjysmën tjetër se kujt s’e di!

Ti erdhe tek unë me dëshirën përgjysmë,
në ardhjen e plotë s’ishe veç ti
dhe kështu pra ndodhi gjysmë ndodhja,
o vashë, sirenë, gjysmë dashuri! …

Gusht, Fier 1998





… në majë të burrërisë që rrëzohen

Po bëhet e mërzitshme,
vdes shpesh.

Dua të jem i ri,
por detyra ime është të jem i vjetër
dhe akulli të mos më mbarojë kurrë në mendje
dhe liria
të mos më ngatërrojë këmbët dhe mendjen si ushtarët e luftës!
Legjendën e kam një hap larg,
që është i gjatë
sa bashkimi i shqiptarëve të përçarë,
sa largësia ndërmjet derës sime
dhe nokes së gishtit të një besëpreri.

Shoh zjarr.
Digjet në rrjedhën e lumit të rrëmbyer të shqiptarëve
pse gjurmët e diellit, që dikur këtej kalonte,
hëna tani i shkel.

Po bëhet e mërzitshme,
lind shpesh
me gra në krahë
në majë të burrërive që s’lindin …

Patos, dimër 2004







Qyteti pa mend

Në hartën e qytetit,
hiri guerril hodhi shenja të reja topografike:
edhe plumbat,
granatat,
edhe predhat,
thikat,
politikat
e gjaku
shënoi përrenjtë e tij,
krojet …
O Zot … që pihen!
Edhe veteranët
i ngritën prapë përmendore gënjeshtrës.

Mendja?!
Oh, mendja
nuk ishte në qytet atë kohë …

Në hartën e qytetit
mendja e ka vendin bosh.

Kam frikë se dikur, kur mendja të jetë në prani,
s’do të ketë më vend për mendjen në qytet
e atëhere lindjen e diellit
do ta shoh në krahët e korbave - mëngjes.

Fier, maj 1997


Varre jemi apo njerëz?!...

Me ndjenjën e zjarrit ndezur mbi fytyrën time mangall
dhe tërmetit në gjoks
hyra në turneun e fundit kombëtar të miss – eve,
që fare mirë mund të quhet turneu kobëtar i erosit
me opus pentagramesh
pyes:
Me dorë i keni bërë
o, nëna këto vajza
o, skllave të burrave tuaj varre?!

Miss -e dhe shtëpi të fshehta kurvash mbijnë në dheun tim
çdo kohë
dhe vaj më vaj ...

Kala bukurie që rrëzohen nga gropat e qejfit
që u llokoçiten në rrëzë të kofshëve nga peshku penis
me epitaf të pashkruar
“ varre sperme ”

pa kryqe
edhe prej mendjeje.

Me ndjenjën e hirit në fytyrën time vatër e shuar
dhe tërmetit në gjoks,
me këngët e motrave qyqe
për një kufomë që vjen sa herë rinia vjen,
pyes veten
varre jemi apo njerëz ???

Tiranë, vjeshtë 2005



Përmendorja e Shqipërisë


Mitologjinë e Pellazgjisë, Ilirisë, Shqipërisë,
grekërit
poshtë e firmuan,
edhe shkrimet e shenjta të Moisiut
septuaginta
në emër të tyre janë ! ….

Zot! …
bijtë e tu,
sa herë bënë breza në sytë e tu
bënë lindje të gënjyer,
bënë jetë të gënjyer,
bënë vdekje të gënjyer.

Kur vranë Sokratin,
grekërit nuk vranë Sokratin,
sokrateskën e shenjtë vranë
dhe rritin
gënjeshtrit ose grekërit që atëherë.

Ti, s’ke baltë,
ti, s’ke gurë,
edhe prej lyme të tharë, o pellazgjishqipëri,
Strabonit piedestalin dhe mbi piedestal përmendoren t’i ngresh
se përmendoren tënde ngre atë çast me Hyll,
me Herkul,
që janë bijtë e tu?! …

Athinë, akropol 2002




Pa kapak

Kapaku i kokës sime rroklli pa zhurmë tatëpjetën shqiptareske,
një macehistori
tenxheren ku jeta ushqimin më përgatiste
lëpin.
Kush e thirri Pele’ pështymtarin,
po rrënjët e pemëgjuhëve ç’dreq lopate i nxjerr?
Qan fëmija, qan ...
Afërdita e braktisi,
qan se e la edhe baba Ankizi. 1)
Enea
të ngecurën shqipe në pëlhurë
përse e le?
Ujin e qetë
urren i shëmtuari pse fytyrën bukur ia portretizon.
Tiranasi kohën
pse është gjendur idiot!
Në ç’gjumë sheh ëndrra Muzaka i Angjelinës
shqiptarët pse bredhin kaq gjerë
dhe me këngë në buzë
për kufij që mbyten?!

Iliri mirazhmadhe
po marr lumenjtë dhe përrenjtë e tu
të punoj xhamadanë dhe takije të ujta …
… pa kapak koka ime.

1) Ankizi - prijësi i Trojës fjeti një natë me hyjneshën Afërditë
dhe lindi Enea.

Tiranë, pranverë 2004




… çmendina e poezive

Tek pallati ndërtuar në majë të humnerës
askush nuk banon …( thonë )!
Dikush hapi fjalë
se ca hije çdo natë shkojnë atje
dhe prej jashtë shikojnë … kur flenë perënditë

dhe perënditë e morën vesh,
dhe perënditë ikën prej atje,
shkuan …
një majë më lart.

Dikush përsëri hapi fjalë se ato hije hynë
atje …

Tashmë
kurioze perënditë vrapuan një natë
vetë,
si hije
dhe prej xhamave sy
pamjen e brendshme përpinë.
Ç’ të shihnin?
Ishin poezitë brenda… që s’ flinin,
Zoti i kishte sjellë …
e kishte bërë pallatin çmendinë!

Gjinar, 20 maj 2006




Shqipëria që mban Shqipërinë …
seferiane

Në qafë mbaj varur Shqipërinë
dhe një daulle prapa shpine kam,
në buzë një këngë për njerëz të Grebenesë
dhe një lot që mot e kohë
s’ma than.

Kam dhe shumë plagë në shpirt që më dhimbojnë,
ndoshta vetë Zoti m’i bëri për kujtim,
legjendën e Mujit shkroi në lëkurën time,
përpara hapit më vuri Doruntinën,
për hije pas
më vuri Kostandin.

Në shpinë mbaj hedhur … Shqipërinë

Tiranë, mars 1997




Poezia heroinë

Kush tha se poeti nuk i do ato
çfarë presidentit,
kryeministrit,
akademikut,
priftit,
avokatit,
vendi i favorizon
edhe pse ai kundër presidentit,
kur vetë i ndodh e zgjidhet president,
kryeministër,
ngrihet?!
Shikoni
kush me mantele,
shirita,
grada e luks,
vjen prej vilave të krimit!
A nuk janë ata që i lindi nënë rruga
nënë mashtrimi,
dhe i rriti mama politika
a nuk janë ata që i lindi Liria,
kur liritë e brishta burgoste në varre?
Kush tha
se poeti nuk i do të gjitha?...

Po kur e popullojnë këta të parët elitën,
poeti vdes,
se natyra lind tek vdekja e tij,
ajo e reja fare,
elitarja e vërtetë
dhe heronjtë zvendësohen
me poezi
që ngrihen ndaj bandave ( shoqërore ) shtetërore në fuqi.

Tiranë, qershor 2005



Shansi im i vetëm i ç’kujdesit …

Jam “ Druri Kujdes ! ”
në shoqërinë shqiptare,
shoqëria shqiptare është “ Pylli Kujdes! ”
në shoqërinë europiane.
Në trung dhe degë më kanë ngjitur dhe varur
postera e tabela “ Kujdes ! ”.
Edhe në gjethe më kanë shkruar fjalën dridhëruese “ Kujdes ! ”
Milje të tëra larg kurorës sime
janë ngulur në dhe’ supertabela për të huajt
“ Kujdes ! ”.
Edhe pse jam dru i bukur,
askush nuk afrohet për të më pare,
askush nuk afrohet farë për të marrë.
Pyllëtarja jetë
nuk do të mundë kurrë të më heqë këto postera,
tabela,
dreqshkrime,
këto “ trashëgimi ”
këto këmbë të stërmëdha përçmimi,
këto neuroza kuq e zi.
Por jam i sigurt
se sharrëtarja e tmerrshme,
vdekja
do të vijë
dhe do t’i japë fund të gjithave në prerje.

Ky
do të jetë shansi im i vetëm
i ç’kujdesit.

Tiranë, shtator 2004




… ditët e veremta


Të zakonshmit
zakonisht e fshehin të pavërtetën tek hamendja,
dëshira,
ëndrra e mëngjesit me rrugëdalje
duke mos kuptuar shumëfishin e dhimbjes heroike.

Në sirtarin e hapur të mendimeve
gjurmët e hapave të pasigurt
çelësa thyejnë
duke u kthyer në mesha papnore.

Vetpërçmimi kryeneç shqyen fantazitë e bukura
me shndërrime djajsh
pa ngjyrë.

Pasiguria kufomë
bredh në errësirën subjektive të gjykimit, e lodhur,
përsiatjet me intelekte të brishta
kthehen në larva të frikshme
hipur mbi kalin e fanta – zisë,
ku shformen ëndrrat e netëve shtatzane
që pjellin ditët e veremta …


Tiranë, verë 2005







Tabuti im

E merrni miq tabutin tim,
e vini mbi Shqipëri,
këmbët poshtë në Artë ia lini,
shpatullat në Veri.
Flokët në Ulqin shkërleshjani.
buzët në Kosovë,
ku dikur, ku binte zemra,
të bjerë në Domozdovë.
I lakuriqtë t’i shfaqet febit
në kryqatdhe mbërthyer,
të rrjedhin këngë,
dashuri,
brenga,
që s’munda dot t’i nxjerr.

Të çahet mish,
damarë e kocka,
të dalë nga unë atdheu
dhe në të çarat e Atdheut
të hyjë Atdhe, atdheu.

Apolloni, maj 2005





Reja…

Ngrinë liqenet e mendjes sime ku ti laheshe në vetmi,
mbi trena kafkash tani ecën
i ngrirë qefini dashuri.

Rrahjet e zemrës ngrinë përjetë.
… nga përtej varrit besa shtyn.
oh, ç’është ky tren me rrota-sytë, që faraonët i pështyn?!

Përgjatë u shtri në vendin tim,
…e lodhur paskësh qenë ajo!
Një re e bardhë si me përtim që vjen ngado dhe fle kudo!…

Tiranë, pranverë 2004





Ditët tona

Jam nën lavdi,
lavdia nuk bënë hije
është lavdiimja,
ti
tënden lavdi ngrije!
Si kumt i ngrohtë i ëndrrës së smirëftohtit
syroi dhe dielli,
hëna shkruan me hije.
Diku në breg të poezisë det
tek hedh dhe duart kufijve tej të plakur,
oh, prek një zë me shpirtin Aliger,
që ngrihet vrikshëm nga dallgë e vjetër letër.

Do çohem shpejt,
se barin paskam shtypur,
ku ka poet
mbiemrin të ketë Tiran?!
Janë mullinj mallesh,
vorbulla kujtimesh,
çmendin me dije të bukurat në çdo anë …

Tiranë, maj 2004





Njerëzve, njerëz …

S’e di akoma një obelisk ku të ngre,
kurorë, ekuatorin të vë atje,
relievi pa emra,
pa fe,
pa atdhe ?!…


Dibër, nëntor 2004


Koka

Budallai i fshatit tim u thotë rrugëve ( se njerëzit s’e dëgjojnë )
- S’kam kokë, s’kam kokë, s’kam kokë,
se në kokën time
skamja
kokën e presidentit, kryeministrit, ministrit ka vënë.
Maskarai,
budallai i fshatit tjetër
nuk do që brenda kokës sime kokën e tij të vërë…
…që unë të kem kokë!


Fier, vjeshtë 2004





S’kam tjetër

S’kam tjetër njerëzve ç’tu jap!
Duan bukë, veshje, strehim
duan rrugë, teatro, qetësi
duan liri të lirë.

Vetëm miqësi më ka mbetur nëpër xhepat e zemrës,
që kanë filluar të shqyhen,
më kanë mbetur shkronja në arkivolin tim të mendjes,


buzëqeshje të lodhura …

S’kam tjetër shqiptarëve ç’tu jap!

Duan njerëzit e tyre matanë kufijve shtetërorë
kalatë e tyre,
varret e gjyshërve
duan klithmat,
heqjet e fundit të stërgjyshërve
gjalljet e tyre nën dhe’

… që të mos jenë të vdekur mbi dhe’.



Athinë, shkurt 2002





Kurvat

Ajo nuk ia jep seksin drejtorit,
që drejtori ta emërojë “ kryetare dege ”
ajo nuk ia jep seksin shefit të burimeve njerëzore,
që shefi
“ drejtoreshë ” t’a emërojë,
ajo nuk ia jep seksin përgjegjësit të zyrës
për të ruajtur vendin e punës së pamerituar,
ajo nuk ia jep seksin burrave të zakonshëm
për të ndërtuar vila.

Ajo
ia jep seksin për bukë
kujtdo që ka bukë,
kujtdo që ka lekë,
thjesht të ushqehet,
të jetojë,
ajo ia jep seksin për rroba
kujtdo që ka edhe rroba,
kujtdo që ka euro,
thjesht të zhvishet
… e shkreta!

Ju që e quani kurvë,
që e quani rrospi,
i ofruat punë, bukë, rroba ndonjëherë asaj,
të paktën ato herë,
kur drejtori, shefi, përgjegjësi juaj
drekën, fjetjen dhe seksin në motele, hotele luksoze jua dha
që ju të emëroheshit drejtoresha, kryetare dege, apo të ruanit
vendin e pamerituar të punës, pastaj?!

Patos, prill 2005





Fati arrogant

E takova fatin arrogant,
statujë të madhe i kanë ngritur ciklopët,
hija e saj asgjë nuk rrit
veten ka filluar “ të hajë ”

Në syrin e zi, ku vdekja i ka ndalur,
shoh veten tek del në pikën e fundit të lotit
dhe rrëzohet në gojën sa një natë të statujës.

Një kalë aty pari vrapon.
Është atdheu im me popullin tim mbi vithe
pa shalë.
Ka rënë në dashuri me statujën …


Tiranë, qershor 2004








… panteonet mitake

Po pi me mitet,
bumerang ngjyrë gjaku
me heshtjen e tyre të varrtë gotat mbush,
me vetmitë e vazhdueshme, ku lavditë e gjata mbyten,
misteri edhe bredhjet Aleksandriane
më dehin
mua, sarhoshin që dehemi me Shqipëri,
e në të pastajmen vjell…
panteone mitake.


Fier, dimër 2005



Mendimi i popullit …


Shën Maria më kërkoi ta lija shtatzanë,
… i vdekshëm të jetë zoti i Ri, - i thashë,
atëherë nuk do të jem Unë lindësja, - më tha,
atëherë gjej një shtatzanist tjetër, - përfundova unë,
po, përsëri ndërrova mendje,
më mirë Zoti të jetë i pavdekshëm!

Më duket se populli
mendon të kundërtën.
Të jetë i vdekshëm Zoti
votoi ai së fundi…
dhe të mos vdesin
( mbretërit
presidentët
kryeministrat
ministrat )
kriminelët

O Zot!


Fier, gusht 2004





Shuarja e personalitetit

Sot pashë një personalitet
tek shkatërronte shtëpinë e personalitetit të tij.
… i kishte ikur shtëpia e personalitetit nga shtëpia e qënies
dhe ai
me vrapin e ngatërruar të mendjeve të ngatërruara,
në rrugët e ngatërruara,
me emra të ngatërruar
e ndiqte
me një varre të madhe dehjeje godiste pa mëshirë.
Muret konvertoheshin në gurë duke u gërrmuqur
me dhimbje ngrehinash.

Kur shembjen mbaroi
shkrepsen nxorri dhe flakën i vuri …
dehja i doli …
i habitur thirri:
Zjarr!
Zjarr!

Dhe me guxim penisin nxorri
zjarrfikësin më të afërt,
filloi të shuante shtëpinë e djegur të personalitetit të tij
… në mes të qytetit …

Fier, janar 2005






Luftëtari e panjohur

U bënë bust dy poezitë e mia
që u bashkuan në një pa lejen time.
E busti më vështron me dy sy vajze e më dy sy djali
me sy metali.

Ai dhe ajo luftonin anëve tona sa herë mbinin armiq.
Askush s’i njihte!

Në mes të qytetit rron busti…

Sot në një djalë të panjohur
tek pallati im një vajzë të panjohur kërkonin
e ndërsa dy poezitë bashkoheshin e bëheshin varr…


Tiranë, mars 2005







… diejtë që s’ndrijnë


Sa e krishtere … nata!
Në duar rrotullon valë deti si tespie,
rëra
rërisht nga bregu kundron
diellin që sheh ëndrra nëpër djepe fëmijësh ballkanas
dhe valën që hyn fshehur nën rërë tek i dashuri.

Sa mirë që nuk rritet dielli!

Kujtesa më shpon nëpër trup me yje – Hyllide,
të ndryshkura,
miliarda vjeçare …

Sa e muslimanët nata!

Hënën të tërë e ka veshur
deri në flok mbulon turpin
dhe zbulon mendimet e saj …

Gjuajnë në detin tim të urrejtjes anije pambarim

… janë diejtë e mi, - një grua ulërin.


Himarë, qershor 2003








Babait ( 1928 – 1996 )

Atje, ku lotët me shkojnë pa më përfillur.

Tani atje
kuajt e Harresës hazdisin,
kamzhiku i Kujtesës vitheve u bie pa reshtur,
karroca e dhimbjes aty ka ngecur,
treni i shpirtit vonohet
aty …
… në Sheqmarinas.


Shkurt, 2006!



Kamaret e buzëve


Edhe kur nata në gojën e saj syt më burgos
e llampat elektrike s’kamja energji pa apostrof i ha
në shtëpinë time
të gjitha i gjej pa i prekur dhe shkallët e thepisura.

Dhimbjen çdo kohë e çoj në provim.
Mësuesit e çmendur prej dritës
katra i venë tufës së thinjur të flokëve të mi.

E poeti shqiptar në qafën e shpirtit diellin e zemrës vendos
dhe harron penën në rremat e paqes
që janë arteret dhe venat e mia të gjakut
raki nga rrushi i vreshtave të reve bënë.

Era e fortë si mijëra violina që bien kush e di në ç’derë veshësh të mbyllur
me dryn, troket
pse kamaret e buzëve mbajnë, çarë...

Tiranë, qershor 2005




Këngë e marrë

Si helm i këputet shpirtit të njomë kjo këngë
dhe bën të ndizet kujtimi që u shua,
era që fryn
kërkon dhe i merr përndritjen
e në grykë ia mbyll
këtë këngë kësaj çupe – grua.
Nga vaj i heshtur rrjedh kjo këngë e trishtë
e shpirtit të fortë,
por mbytur në hidhërim,
që ngjan si lule,
rrënjë prerë nga shati i keq,
që shkon drejt tharjes pa harxh e pa shpagim.

Një jetë e ndalur shkon marrive të saj,
pas saj hije,
dhimbje në karvanë…
…o, djem të rinj pse ngritë,
u vratë buzë marsesh? …
Një vajzë pa mend
këto fjalë me dhimbje qan.

Si helm i këputet shpirtit të marrë kjo këngë
dhe var me lot
të marrën që e këndon …



Tiranë, 28 shkurt 1997 - 2005



Kombi që nuk njeh burrat …

Njoh një burrë,
që tërë jetën pas fjalëve servile që flet fshihet,
ashtu siç njoh një tjetër burrë,
që tërë jetën
pas veprave të mira që bën,
rri.

“ Nderi i kombit ”
është burri i fjalëve,
burri i veprave të mira
është fukara,
“ përbuzja e kombit ”
i bie të jetë.

Njoh dy burra,
që njëri
nuk i bie të jetë burrë,
ashtu siç njoh një komb,
që burrat
s’i njeh!



Tiranë, maj 2005





Rojat

Dita lëvizi nga dheu im,
pa shqetësim kufijtë i ngriti,
i lodhur nga shefat shkoi populli të flejë…

Një tjetër si unë, i arratisur në “ fli ”…
bën roje se thonë :
“ Djalli s’ka shtëpi “!

Sy të ngulur në ballë të fenerëve,
natën shpojnë dhe stuhitë e gërhimave
anijen “ nesër ” nga cimat të ngrenë…
dhe veten e tyre.

I stërlodhur populli tek shefat shkoi …

Tiranë, maj 2004




… këtej ku linda unë …

Këtej ku linda unë
era fryn ndryshe!
Fryn me det, me fushë, me pyll, me lumë,
me shpendë të egra, me kafshë, me bar …
fryn lehtë,
fryn dhe me vrull …

me njerëz të mirë fryn
këtej ku u rrita unë.

Këtej ku u rrita unë
fryn era ndryshe:
erë me vajza,
erë me gra,
me plaka,
erë nusesh
fryn …

Dhëndurë të ­çmendur shfryjnë
këtej ku u martova unë.

Djemtë, burrat, pleqtë, si fëmijë përkunden
në djepet e saj,
të përjetë nën faj …

A nuk janë të gjithë pa rresht,
pa mendje,
pa shpirtin lakuriq,




që të fundit tek Zoti shkojnë
këtej ku po plakem unë?! …

Seman, dhjetor 2005



… kur të vdes

S’kam njohur shumë njerëz si pse - të e mia,
që është fatkeqësi
me çastin të mos jenë!

Tradhëtuar virtytesh
e vrarë historie,
liqenet e botës i gjeta brenda vetes,
lëkurën time sipërfaqe pergamen.

S’kam njohur shumë njerëz si vetja
ende!
… mërmërima valësh,
hëna në rrjeta,
diej në grepa,
furtuna këmbë thyera
e stuhi shalëgjata,
sharje peshkatarësh,
rënkima rremash lidhur në cimë.

Liqene të tharë
brenda liqenit tim …

S’kam njohur shumë njerëz si po - të
e mia …
ndaj shkruaj poet
mbi liqenin pergamen!

Belsh, pranverë 2006






Liria e shthurur


… më qethën zero kundërshtitë e mia,
si dikur prostitutat
qyteti mos t’i njihte,
si dikur të burgosurit
drejtori i burgut.
Në shtëpinë e së padrejtës rri mbyllur,
qaj lirinë e shthurur,
tmerrin e së drejtës civile…

Tiranë, shtator 2005





… të “ mëdhenjtë ” e qytetit tim

Sa shumë të “ mëdhenj ” qyteti im që linde,
sa i vogël mbete,
sa i pistë,
sa i vjedhur,
sa i krimtë!
Në meshën e mëngjesit dhe të darkës
thërrime nga buka e të “ mëdhenjve ” prifti Ilia të jep për naforë.

I huaj, i shenjtë, i dridhëruar
pelenë fëmijësh…qyteti im.

Ceremonialë madhështorë ecin revan si bisha
e në rrugët e tua ngrenë pluhur,
por jo lavdi.
Fantazma shugurojnë në skenën e teatrit “ Bylis ”
Odeonin e Apollonisë
dhe në Ardenicë, Gurzezë, Bazilikën e Ballshit
i shpien të flenë
për t’i vjedhur Prashnikeri ndonjëherë …

Larg prej tyre bima “ E ardhme “ rritet
ara e të “ mëdhenjve ” e than filizin.

Më mirë pa duar, se në duart e tyre duart të kesh,
më mirë pa këmbë,
pa sy,
pa veshë!

Sa shumë të “ mëdhenj ”qyteti im që ke,
sa i vogël mbete
qyteti im idiot!

Fier, dimër 2004






Sharrxhiu i ri

Në trungun tim ka emra të gdhendur,
data,
piktura vetëtimash.
Ka të çara motesh si përrenjtë që ujin zbresin prej majave të thinjura
pa e vrarë.
Ka edhe prerje shpatash,
thikash pas shpine,
vrima plumbash;
ka degë të thyera si krahë të varur njeriu,
ashtu siç ka gjethe në degët e pathyera
ku era shkruan tekstet e këngëve të stinëve të moshës..

Në trungun tim ka mbështetje shpatulla barinjsh,
udhëtarësh,
ushtarësh
dhe vështrime të humbura matanë gjykimit të burrave,
përpara …
që shohin tinzarët që vijnë.
Ashtu siç trungu im tek unë i mbështetur
që hijen e vet sheh
hijet e emrave,
datave të frikësuara …
… nga sharrëtari i ri
të tmerruara.

Tiranë, vjeshtë 2004



… copëz poezie

… si degëza të stërholla varen rrezet e arta të diellit
prej larti,
me majat e tyre lozin në gjoksin e dheut me piktura;
nata xheloze i pret me gërshërët e saj të rënda,
për t’i varur hënës
degëzat e saj,
të vjedhurat, të argjendta..

Por … oh,
tërbohem kur krimbat tek i hanë
i shoh!

Fier, vjeshtë 2004


Jeta

Sa herë e kam takuar jetën gënjeshtare,
tinzare,
të pa sinqertë,
të pa cipë,
të vërtetë pak herë e kam takuar,
por edhe atëherë
gënjente!

Sa herë e kam takuar jetën hajdute,
kriminele,
të pa besë,
mosmirënjohëse,
të mirë pak herë e kam takuar,
por edhe atëhere
vidhte!

Sa herë e kam takuar jetën të varfër,
të pistë,
gjithë zhele
tretur…
Të pasur pak herë e kam takuar,
por edhe atëhere
s’kishte për të ngrënë!

Sa herë e kam takuar jetën jo jetë,
dashtë Zoti,
vdekjen takoj
vdekje! …


Fier, pranverë 2005




Bëni ç’doni …

Fëmijët janë si gjëmba therecke
të ngulur pas mullaqeve,
që të therin sa herë ule…

Sot një njeri vari veten.
Të paktën
kështu e panë dhe thanë njerëzit …
Qorrat!
Ai nuk kishte varur veten.
( të tijën, jo të tjerëve )
Varfërinë,
borxhet,
dëshpërimin,
urrejtjen,
jetën e pafuqi për të qënë jetë
kishte varur.
Tashmë
ato janë të vdekura,
të varura në drurin e marinës

- Bëni ç’doni, - sikur thotë, -
po deshët dhe i varrosni!

Sheqmarinas, 25 korrik 2006





… fatkeqësi

E gjej veten në sytë e saj,
ku drita rrjedh nga vatra e dritës me vrima,

ku mendimi çapit nga disonanca të çakorduara.

Veten,
lente të thyer në dhomën e errët të vetes
me infinit imazhesh ngjitje e zbritje shpirti
në shkallë që s’qenë
duke parë matanë dritares së pistë
lavdinë e saj në duart e lypësve …

E gjej veten në sytë e tij,
të saj…
ashtu siç mund ta gjeja veten
në hundë,
në veshë,
në gojë…

qurre,
dyll,
pështymë.


Fier, shkurt 2004




Gabimet e rinisë …


Mbrëmja mbushet me fytyrat e mia të rinisë.
Si plakë e harruar
vjen nga larg historia ime pa lumenj, pa rrugë, pa shtëpi.
E ndjekin prapa varret,
e ndjekin prapa djepet,
e ndjekin prapa pengjet …

E,
ku ta dijë kjo natë e re,
unë
kush jam mbi këtë dhe’?!


Shoh…
më mungojnë mundësitë
jo dëshirat.
Ndiej ç’burrërinë nën peshë
dhe në mbipeshë dashurinë.
Më thanë se ato vajza
janë varre ku nata me yjet ndalon
dhe hija që me mua u plak
është … gabimet e mia
kthyer në faj…

Fier, vjeshtë 2004





Përse m’i lë komshi?!


Kur njoha dashurinë s’e njihja gruan time.
Ca thonë : Do të ishte
më shumë se dashuri!…
Në shtëpitë e tyre rrojnë gjithësecila …
Zot,
pa t’u lutur,
përse m’i le komshi?!

Fier, vjeshtë 2003





Dhimbje

Më braktisën dhe armiqtë
e më djeg me diell vëllai im…
Toka bërtet për ujë
e imagjinata shtrihet me ulërimëimë…
Kufijt e të pamundurës vriten
e fuqitë e ëndrrave s’kanë këmbë.
Bien gjethet e shpirtërave vjeshtë
e erërat e mallit i marrin me këmbë



Vlorë, tetor 2004



“ Rrëzimi ” i pleqve…

Në gardhin e ri të kopshtit të mendjes
mbështetur rrinë pleqtë…
Të rinjtë
vrapojnë…
( rrëzohen,
ngrihen ).
Furia e vrapit
shpesh herë nga kopshti i nxjerr
gardhin duke shqyer…


Tiranë,11 tetor 2006





… ëndrra

Pashë ëndërr sikur njerëzit ecnin
me kokë.
Ashtu siç pashë ëndërr
që në vdekje qeshnin
dhe në lindje qanin
e për djepe përdornin varrin
e për varr, djepin.

Pashë ëndërr sikur njerëzit s’ishin më njerëz,
por dy drejtëza paralele,
të cilat ktheheshin në pingule
dhe më vonë
në dy pika si hunj,
ku lidheshin dy hijet e tyre imagjinare pa vete.


Fier, vjeshtë 2003

Apologji


Vdekjet e vetes më janë ndryshuar,
vijnë prej ngjarjeve
jo, moteve
dhe mendimet që hyjnë e dalin
në dhomat bosh të vdekjeve të mia
siellin poezi klasike,
nxjerrin poezi lirike.

Duke vdekur fshehtaz
shoh kufomat e vetes ndër rreshta
vrarë pas çdo ngjarjeje me plumba,
me pëllumba,
vijnë erë,
era nesër,


dikush po i varros në rrezet e diellit
varret e mi!

Përpara … ka ngjarje
… radhë të re për vdekje të re.


Tiranë, vjeshtë 2004



… më të vjetrit, varret apo njerëzit?!

Pyetja ime ushton nëpër qiellin miturak
të intrigës së gjallë,
të intrigës së vdekur
me murgesha dhimbjesh
përmbi bijën skelet të Apollonit të sotëm.

Ku njerëzit dhe tumat e Kryegjatës vrapojnë dhe shikojnë
pa ditur sa në pendesë i lidh Shtyllasi
dhe hija e Aooss - ës në tradhëti,
pa ditur se kush më të vjetër janë
… varret apo njerëzit?!


Apolloni, prill 2005


Ndërsa ne vishnim akull …


U ndamë përpara portretit të erës që kushedi se ç’piktor
e kishte bërë,
me dy lotë të lodhur në sytë e saj,
ku qielli ngrihej prapa jo si sfond,
me anash
dy statuja djegtarësh nën pishtarët e tyre ndezur,
që digjnin
ç’prapa lamë.

U ndamë,
digjej atëherë lëkura e dashurisë,
ndërsa ne
vishnim akull,
akullën dashuri të çnjerëzimit!

Tiranë, maj 2003




…udhëheqësit shqiptar

Ti fle me kohën dhe kohën plakë
edhe pse zgjohesh në kohë të re.
Çdo gjurmë që bën pas teje ngrin
dhe vjen një erë … era hale.
Të kishe më mirë paterica,
krevatin njëqind pash nën dhe’
dhe sytë, zgavra ti t’i kishe,
gjarprinjtë t’i kishin për fole.

Po shumë dëshira shterpëzojnë…
Do i vdesësh jetës m’u në ballë,
do të të shtrijnë në dheun që ngrive
dhe do t’mbulojnë me kohë të gjallë…

Tiranë 2005, dimër


Gratë

Gratë që kam takuar,
rrinë mjegull në krahët e zogjve shtegtarë
dhe vrap në akrepat e orës së vrarë.

Gratë që kam takuar,
rrinë verbëri që kërkon dritë në sytë e mi
dhe karroca që vrapojnë përherë pa karrocierë.

Gratë që kam takuar
rrinë lekë qindarka në xhepat e shpuar të kohës
dhe lëndina ku fëmijët shkelin
kullota të largëta kuajsh të egër.

Gratë që kam takuar
rrinë zogj që bëjnë fole në gotat bosh të pijeve
dhe ikona të varura përjetësisht
në kishën time të lindjes.

Gratë që kam takuar
rrinë gurë kilometrikë të thyer anë rrugëve
dhe faqe të rrëshqitura malesh,
ura të prishura
burrash vandalë

… gratë që kam takuar …

Fier, verë 2003


Kandidatja për kurvë

Ajo zhvishet gjysmë lakuriq
dhe mbulohet si me turp në gjysmën tjetër.
Ajo hap përgjysmë derën e shtëpisë së kurvave
dhe hyn me turp në gjysmëhyrje ...
Ajo zë gjysmën e shtratit,
të puth përgjysmë,
të zhvesh përgjysmë,
bën seks përgjysmë
dhe largohet përgjysmë.

Ajo kërkon për të gjitha këto
shumën e plotë të lekëve
dhe pendohet përgjysmë me gjysmë turpi
dhe largohet me gjysmë ikje
prej tërë shtëpisë së kurvave për në shtëpinë e nderit…

Tiranë, dimër 2005



Ligjet

Habitem si nuk po shkel me këmbë këto ligje civile,
këto ligje ushtarake,
këto ligje shkencore të prapambetura …
Pasi me mendje çdo çast i shkel.
I urrej ligjet
se lirinë deri tek muret e tyre të armuara e lenë të vijë
dhe fëmijët e saj.

Ruajnë të sotmen e froneve këto ligje
prej armikes Liri
prej armiqve fëmijë …

E urrej guximin që në burgun e përkohshëm jeton,
që në burgun e pëjetshëm ( varr ) pjell fëmijë,
e urrej kohën që me jetën e ligjeve identifikohet,
ashtu siç urrej gjallesat,
robotët,
kthyer në bunkerë të ligjeve.

I urrej ligjet,
pse ligjet më urrejnë gjithmonë mua,
njerinë,
të nesërmen,
lirinë!

Tiranë, dhjetor 2005


Palavdia

Palavdinë,
lavdia e lindi
dhe e lindura pushtoi botën,
pothuajse.
Nëna e palavdisë është lavdia
dhe ju e pyesni :
Palavdi, e kujt je?

Më thoni njerëz
sa të lavdishëm janë sot në botë,
që unë t’ju them
…lavdia u mbars kot?!

Tiranë, pranverë 2005


Vdekja e distancës


Këtë shteg,
ku jeta më ka mbetur shumë prapa shpatullave
dhe vdekja më është përpara fytyrës
asnjëherë nuk po e arrij;
mos distanca është akull,
mos lëvizja ka ngrirë,
mos do prerë ky pyll prej të ftohti,
që poshtë madhështisë së hijes së tij të mos kalojë askush?!

Një vajzë, që jetën e ka përpara fytyrës
dhe vdekjen shumë prapa shpatullave,
që i bie të jetë ngjitur me timen,
arriti.
Udhëtoj në dy vdekje tashmë,
njëra në prapa, tjetra në përpara.

Shkeljevdekur i largohem të djeshmes gjallë,
mitër në varret e të diturve të pardjeshëm
me barrën e sotme ëndërrim …

Ah, këtë shteg që më në fund e arrita!
… distanca?
Distanca kishte vdekur!

Fier, maj 2004

Bota

Malet me fuzhekët e tyre në grykat e furrave trazojnë retë – harxhë.
Djeg kamina e madhe hapësirë.
Pjek yjet,
yje të bëhen.
Poçarët,
këta titanë të pakënaqur nga zjarri “ dashuri ”
me zjarr të shuar pjekin
e mbajnë trurin në krahë.

Nga hiri në hi,
sipërfaqja e dyqanit të tyre të artit.

Nga ylli në yll,
si nga poçja në poçe,
historia e sotme e thyer.
Dorezë,
lëfyt,
fund.

Tepelenë, dimër 2005




Shiu i verës

Në dyert e ngushta të mallit rrëzohet,
s’e di se ç’mot ndër pika sjell
ç’kujtim dhe ç’ngjarje zbraz ndër to!...

Fier, vjeshtë 2004






Ku është…?

Ndoshta jemi të të njëjtit univers, Egist! 1)
përse të një klithme të jemi?
Ej, poet i gjashtë, i shtatë… i pllakatët,
Migjeni ku është, këngërevolta Migjeni?
Atij dua dhe të shkreptij Mjedshëm
dhe vdekje - gjallëjes terr e dritë Konica,
ej, poet i tetë, i nëntë … i faraontë,
Vinca ku është, majëfjala Vinca.

Bile të çorbitohem i shpërthyer
dhe rrëzohem në Iliri si probatini,
ej, poet proturberant, dritë djegës,
Naimi ku është, këngëlindja Naimi?

1) Egisti - dashnori i Klitemestrës,
vrasës i Agamemnonit.

Athinë, shkurt 2002



Ndoshta qaj natën

Ka të varfër,
por ai që shet ëndrrat
është shumë i varfër,
ndërsa ai që s’i mban mend
është fatkeq.


Kam filluar
dhe s’mbaj mend ëndrrat.
Gjurmët ua shoh jashtë vetes.
Tik – tak, tik – tak, tik – tak
ora e tyre e vjedhjes.

Një burrë i shet poshtë shtëpisë sime.

Tani,
fle me dritën ndezur …

Sa gjëra fsheh një pikë loti!...

… ndoshta qaj natën.


Fier, nëntor 2005



Kali i mërzisë

Tingujt e muzikës së natës
flokëve të saj me hënë bredhin
bashkë me vargjet
pa eskortë…

Oh,
çfarë po shoh?!

Prapa gardhgjumit
një djalë me pena mbi kurriz
po shkon me kalin e mërzisë…

Tiranë, vjeshtë e tretë 2004




Dimër pa kokë

Shkund flokë mbi flokët e mi dimri i pishave.
Siç duket i vetëshkul!

Dy herë flokë…

Mbi flokët e barit rrëzon flokë dimri i njerëzisë.
Siç duket e qethin!

Tre herë flokë …

Mbi flokët e dheut… dimri i qiellit s’ka ç’shkund,
siç duket është pa kokë! ...

Ulqin, dimër 2004


… dëgjo kur thyerja të bërtasë

…kam pasqyrë të madhe në duar,
fytyrat tuaja mund të dalin prej aty
ndryshe nga momenti që u panë.
Lëkura
të ndajë mikun nga armiku,
ajo e shpinës,
ajo e gjoksit …

Guernikë,
kjo pamje erebike që më thotë:

- Shko thyhu
dhe dëgjo ku thyerja të bërtasë!


Tiranë, vjeshtë 2004


Pallto biblioteka

…më propozoi e Sotmja, - dehemi?!...
dhe të dehur shkuam tek Zoti.
Zotin e gjetëm të varfër,
Zotin e gjetëm
poet.

Faqet e qiellit shkruam të tre
dhe që shiu të mos i fshinte poemat,
në palltot e vjetra grirë nga motet
i futëm.

Tani
faqet e qiellit janë libra,
në pallto bibliotekat e shqyera të poetëve…

Tiranë, dimër 2005


Kujtim

Kujtim të mbetet
kjo e folur e sotme,
të gjitha arritjet
si shkrimi i klasë së pare,
gëzimet,
pritjet,
shpresat
si anekdoda,
zënkat
plepa anë xhadeve tharë.

Kujtim të mbetet dhe gjithësia sot,
kujtim të mbetet
bile edhe kujtimi,
le të vëmë një basoreliev
të thyer mbi to

nënshkruar …përçmimi!

Tiranë, pranverë 2000


Shekujt e vetmisë shqiptare

Krifat e kuajve me hazdi të egër
bëhen pisk
me erën e egër
që fryn shterpësisë së egër shqiptare.
Nëpër galopin e udhëve të kripura
të konopicës së Semanit
vërshëllejnë si krende telash me gjëmba
melodi furtunike të mendjeve,
që shkulen dhe shpojnë këdo që nën gjatësi u kalon
duke hapur proturberanca naive krimesh.

Tinëzia e pyllit
vënë si fshesë
në dorën e njomë dhe të brishtë të nuses
fshin përherë sythat e rënë të luleve,
që mbinë së fundi
në burgjet e çelikta të kafkave tona.

Krifat e kuajve
me qime të egra
japin e marrin me pluhurin e egër të rrugëve të egra shqiptare,
në zërin e një kënge të Tas Hënës
dëgjoj fëshfërimën e së djeshmes së tyre
“ Laceja kur vjen nga stani … “

që vjen e ikën
me shekujt e baltisë shqiptare,
eter tashmë …

Tiranë, verë 1997 - 2005


Ditët tona

Si plaka kërrusur ecin ditët,
tërhiqen duarsh nga ca fëmijë,
si medalionë mbajnë vesh të prerë
kokallat nxjerrë për hajmali.

Ca qen të zgjebur i ndjekin prapa
dhe prapa qenve
një re me pluhur.

Si plaka çala ecin ditët
me lecka hedhur lakuriqësisë,
ato s’janë plaka
por gra të mjera
me fëmijë të tharë varur në sisë.

Ca pleq si mjegull përfund u ngjiten
dhe prapa pleqve ka funeral.

Tiranë, shkurt 1997


Vdekja e piktorit

Mos m’a tregoni të ardhmen,
që të kem të ardhme…


Atë vit
gjethen e fundit të dimrit në drurin e dimrit e këputa vetë,
pranvera nuk kaloi mbi ura
edhe puthjet nuk u ftohën
pse s’kaluan në buzë,
veç lumi i mbushur shtrat më shtrat
një pemë – vajzë
solli ndër vale,
të mbytur,
përdhunuar nga dimri.

… kishte vdekur piktori.

Bashtovë, 2005



Vera dhe xhindët

Ka kohë që qielli s’ka qarë këtyre anëve,
përvëlohet nga buzët e diellit, dëshira,
djegia përzhëlit lëkurën e dheut,
kompresa det përsipër i rri …
… xhindët u dukën këtej përsëri.

Trupi lakuriq i verës është nxirë,
tundimi lakuriq, është nxirë dhe ai,
mbi gjoksin e saj sa duar janë shtrirë!
Me buzë sirenash, buzë ujërat këndojnë …
… xhindët vallëzojnë.

Flokë shelgjishtesh kreh flladi, tjerr majë,
lumenjtë si gjarpërinj në lëkura ngecur,
shpirtrat e njerëzve janë bërë çarçafë,
zhvirgjëria e stinës i njollos me të kuqe …
… xhindët këtej u bënë me huqe.

Fier, verë 2005



Emri im

Ata që baltë më hodhën dhe më treguan të ardhmen
që të mos kisha të ardhme,
kishin vila në Shqipërinë time.
Me atë baltë unë bëra tulla dhe ngrita shtëpi.
Shtëpi, ku ngjiten ëndërra të thyera.
Brenda tyre vajza të njoma vijnë
me sy që i kanë si pika vese
rrëzuar me të shkuarën
nga shkelja e keqe.

Vijnë edhe dallëndyshe aty,
bija të shtegut të lodhur
dhe ngjitin ëndrrat e këputura
dhe ngrenë sytë e rënë poshtë gjurmëve të njerëzve mullarë,
që shpesh lopa moshë i ha,
që herë vdekja, zjarr.

Mbi malet e jetës sime mbijnë
pisha,
lisa e maja me bore,
ku nxënësit ngjiten dhe gdhendin emrin tim atje
në akull,
ku syri i diellit kriminel
s’sheh
dhe balta s’arrin …

Tiranë, pranverë 2004


…gjurmë copash

Fryn erë
nga xhamat e thyera të shpirtit tim,
drejt e në sytë e jetës
thërmija çmendish
shkretëtish europiane hyjnë…

Pale, qëllojnë dhe me gurë!

Oh
nuk po shoh atdheun,
mëmëdheun s’po shoh
…gjurmë copash kudo!

Shkup, tetor 2004


Me tehun e qerpikëve …


Me tehun e qerpikëve pres mugun e prerë
si qumësht të hënës.
Faqet e maleve mëndak
zbardhin prej prurjeve
dhe hyjnë nga dritaret e shqyera të mendjeve të mia me vërshime
lymore.
Palpebrat
këto doreza shpatash drite
fërkohen me duart
pjesë trimërie kombi të vjetëruara.
Fitoret e humbura
kreh nata
me krehëra të bardhë përçmimesh,
ato lakuriqe
kodosheve “ humbje” në prehër u ulen...

Përmet, mars 2006



Riti im i rritjes

…ditën e ndërtoj kalanë time
natën m’a shkatërrojnë…
E një nuse nga të miat flijoj çdo ditë atje
duke i lënë jashtë mureve sisën nënë,
ku vëllai i plakur pi
dhe vëllai fëmijë ëndërron…

Djeg copa kohe. Ç’të djeg s’kam.
Në gojën time Shqipëria ka ftohtë.

E një nuse vëllai s’e gjen për ta flijuar…
shpirti im Rozafë
riti im i rritjes…

Tiranë, dimër 2005


Mrekullia e Judës


Dru më dru bilbil që s’sheh,
këndon.
Tek gurët e ujit, ku dimri lotët ka,
dhimbjen vë.
Melodramë e pyllit
hije më hije vrarë,
mezhdë më mezhdë
pa varr.

E pa gjurma
Judës i pozon.
Juda
statujë e bëri
me hije të akullt perëndie
dhe e vuri në qiell të bredhë
poetët të mbledhë.

Tepelenë, vjeshtë 2006


Të urrej pse kaq shumë të dua !


E urrej penën time pse ende bukur shkruan,
pena më urren shpirtin
që poezitë e shëmtuara e duan.
Shpirti më urren mua
që jetoj në këtë besë,
në këtë fe,
unë të urrej ty
pse kaq shumë të dua
Atdhe!

Tiranë, 2004



… thonjtë - thikë

Me thonj shenjtorësh grifonët na rrëmbejnë
e në çdo qiell na çojnë.
Shalët e mitopsikopatisë,
orbita që thyejnë këmbëndenjien tonë.
Verbëritë dashurore të dehura vjellin mbi flokët e dheut
vdekjet e dherave,
i hanë ato
dhe përsëri
vjellin atdhetë
mëmëdhetë…

Të pagjunjë
gjunjëzohemi e thërrasim për ndihmë:
- Zot, këta thonj - thikë
të kujt i kam mbi shpinë?!

Kurjan, kisha e Shën Kollit 2004

Galopi im

M’u plakën kuajt e shpirtit,
s’ vrapojnë si një herë ata,
karvani më la prapa,
e shoh dhe qaj…aha!
Si mëzet shkojnë furtunshëm
dhe kuajt e rinj, ashtu,
galopi po u shuhet,
…kamzhiku u bë
hu.

Tiranë, dhjetor 2005


Lindja e poetit

Shtetit,
pushtetit,
rojave
dhe servilëve
i merreshin mendtë nga vendosja,
latësia,
komunikimi dhe lëvizja e poetit.
Vetëm kombit jo,
kombit i merrej fryma
nga këpucët,
çismet dhe të ndenjurat e pushtetarëve,
rojave,
servilëve.
Dhe përsëri ata
shikonin lart marramendshëm,
shikonin lart me shikim-ulje vrastare …
dhe e ulën …
Tani që poeti ka vdekur, se nuk mund të rronte dot
në lartësinë e këmbëve,
në lartësinë e bythëve,
vetëm kombi e qan
me lotë lartësie,
me lotë kombi …
Flasin se shtetit
pushtetit,
rojave
dhe servilëve
nuk u merren më mendtë …
… flasin gjithashtu
se ka lindur një poet i ri,
por ende nuk flasin
se ka lindur një komb i ri! …


Fier, maj 2005





Fusha ime


Tani, atje
ka yje që kullosin,
ka lope,
dele,
gomerë…
njerëz të ngulur në bisht të tyre,
ka rrugëza të prera
në grurë,
jonxhë, pa mbirë,
ka këmisha të zbërthyera pas buzëve, gushëve të puthura,
sy me rrathë, të nxirë …

Tani atje ka shtëpi me barrë,
shtëpi shterpa ka,
ka çupëza si Shën Maria
dhe djem si Krishti,
ka kurva të kthyera nga Europa,
ashtu siç ka edhe gra që dalin prej dhomave
të gjumit si tymi i oxhakut,
herë të bardha borë sikur shugurojnë një papë,
herë të zeza sterrë sikur kundërshtojnë një papë…
Me fushë në faqe
ku puthin burrat…




Tani, atje
flenë njerëzit. Është natë.
Minjtë janë zgjuar dhe hajdutët
brejnë arat, kasollet, të korrat,
gjumin, ndonjë rojeje.
Hëna me fjalë akulli
mbi shikim prej akulli rrëshqet.
Nëpër kudo ka gjurmë,
por shtet, jo.
Zhabat bërtasin si presidenti,
kryeministri
në flluskat e tenxhereve të zënkave që ziejnë, hidhen.

Dielli i bërë tapë në diskot e natës
fytyrën e përflakur i ngjesh dheut semanjak,
bllana bajate duke stampuar
jo ditë!
Njerëzit për këtë pikturë surrealiste
zihen tmerrshëm me njëri - tjetrin
për ta shitur,
për të ushqyer fëmijët
në fund të fundit,
për t’a varur në muret bosh të shtëpive bosh.

Tani atje
kryqe vizatojnë fëmijët nëpër trokthe,
pas ikjes së tyre
kuajt paganë vrapojnë mbi kryqe…

Myzeqe, vjeshtë 2005






Vdekje rrezesh

…rrezet më ulin çdo mëngjes mbi dhe’
rrezet më ngrenë çdo darkë prej atje.
Mbështjellë dy qefinësh,
dy vidhash mbështjellë,
një sy vdes me hënë,
tjetri
vdes me diell…

Shkup, 2004


Roja i zemrës

Tek këmbët e kombit kokën kam vënë
gjurmët e tij janë buzët e mia…

Leh
qeni i shpirtit,
leh i ziu,
leh.
- Po të vjedhin zemrën, - më thonë, - atje …
Vjedhtarët i bien
me gurë,
me drurë,
qeni i shpirtit fle
gjumin e sëmurë …

Fier, verë 2004



Ftohtë mes Europës

Thinjen lulet
askush s’i vë re,
filizat rrudhen
njeri nuk i sheh.
Zogjtë ngjiren
kurrkush s’i dëgjon,
ftohtë mes Europës …
… atdheu dridhëron!

Shkup, dimër 2004





… pushtuesit mbijnë

Ranë të ruajnë Shqipërinë të vdekur,
të gjallë nuk e ruajnë dot!
Faltoret asnjëherë nuk i përfillën
as fatin në kthesa që i ftonte.

Tek memorialët e tyre
lavdia çdo darkë i mbjell si lule
nata të përulet.

Ti që nesër vjen
me lulet do të “ ngatërrohesh ” patjetër,
mos i këput
se në vend të tyre pushtuesit mbijnë,
ditën!…

Tiranë, verë 2003



dhe sot ….

Kisha fluturuar melodi
e një kënge smog
dhe isha përftuar në ndjesinë e urryer
të fshirësve të xhamave,
urdhër
që dilja prej shkopi dirigjenti
nga pentagrami.
Pa njohur dashurinë,
pa njohur tradhëtinë,
pa njohur luftën,
pa njohur lirinë.
Vetëm brigje buzësh njihja,
vetëm ngasje shpirti shihja,
vetëm flokë të fushave krihja.
Kisha fluturuar
në vijat inguinale të së bijës së Montezumës,
në vullkanet seminolas,
në një shpifje në Gogolas
dhe sot
mallkoj muzikantin,
fluturimin,
tymin,
përftimin,
ndjesinë e pa faj …

Tiranë, verë 1999




Shkelje poeti


Të varfërit flenë.
Ti me lirika shpirtin u shkel me gjurmë shpirti.
Jeta bërtet
e lidhur në litarin varfëri.

Ngecur të vdekurit në orën tënde.

Kjo erë, që tund flamuj dhe rrëzon emblema,
çekan, që mbërthen djepe e qivurë,
arnë e shpirtit të shqyer
përse këpucën e ligjit
nuk shqyen???

Rrëzë një muri ëndrre
brenda një fuçie digjet zjarr,
përsipër duar digjen,
fotografi që flaka u shkrep të varfërve
pa lekë.

Të varfërit flenë,
ti vdes …

Tiranë, vjeshtë 2003




Një krimb që më ha

Lumenj të ëndrrave mbushur me harresë
poshtë lëkurave të gjithkujt gurgullojnë.
Kontenierët e kujtesave
drejt tombave shkojnë
mbi anijet “ njeri ” ngarkuar…

Çdo ditë
një jetë më marrin,
një vdekje më sjellin,
një krimb që më ha…

Patos, vjeshtë 2004


Frederik Rreshpja1)


Në rebelen ndarje duke shkelur qiell
e kapërcyer qiej.
Majë minare koka,
kurmi këmbanë
ngjit realitetet e thyera
me djersën e burgjeve.
Në kënde gramash
çafka shpirtërash nxjerr për ikona
prej foleve të zemrave të sëmura.


Zëri i vdekur atje
nga bust - varri nis e shqipëron:

- Shihni o njerëz që s’shihni ( legjendën ) baladën …
Tani këtu po mbin
bari
burgu
pranga
liria...

1)Kur Rreshpja lindi duke vdekur, shkurt 2006 Tiranë




Funerali madhështor

Vdiq poeti.
Eh, sa herë kishte vdekur nëpër jetë
dhe nëpër jetë qe vetëvarrosur
në trup të vet!

Ai
thjesht
vdiq sot,
thjesht po e futin nën dhe’
dhe dheun po ia hedhin me dorë …

S’është kjo e sotmja e rëndësishme,
i japin rëndësi kot!

…nëpër vdekjet në jetë
i duhej funerali madhështor …

Dimër 2005, Tiranë



Mirë se erdhe lamtumirë!

Vektor për të nesërmen
nga e sotmja
buzët e mia vura
edhe gjuhën
edhe zërin

dhe këmbët me ndryshk
në trajtat e ecjes që ngula
dhe trenin e gjakut me vagona kockash
tek stacioni i njerëzve që s’vijnë …

E nesërmja nuk është jeta ime
është vdekja ime.
Shoh prapa …
në gropën e zërit bie.

… Mirë se erdhe lamtumirë!

Tiranë, dimër 2006



… dita e turpëruar

… çdo herë që sheh zhveshur veten e vet
arratiset nga vetja dita e shkretë.

Haremi i yjeve krejt i zhveshur krejt.
Tek kroi i diellit
lakuriq
është dhe hëna!

Turret dhe futet në kishën e reve,
retë e zeza me priftërinjtë bënin seks.
Në xhaminë e shirave vrapon tmerratare
shiu, hoxhallarët
lakuriq dhe ata!

Nuk shkon më lart,
zbret përsëri
në të përjetëshmen paturpësi vjetërsi …

Fier, verë 2003



Këmba e kujtimit

… mure që bien çdo çast, çdo mot,
pa dhunë, qetësisht, krejtësisht - o, Zot!
Si gjurmë shuhen, askush s’i përshpirt,
vdekur priftërinjtë, me sy, vesh e flirt!
Përpara, themelet e mureve të rinj,
të rinjtë muratorë, ngritjes i prijnë.
Ndërtojnë gjithkund, çdo çast, çdo mot,
pa zhurmë, qetësisht, shpirtërisht - o, Zot!
Prapa shkërrmoqur rrënojat kudo,
këmb’ e kujtimit veç shkel mbi to.

Tiranë, korrik 2006

Partneritet i hidhur

Shtëpi të shurdhuara këto male,
barqe të bindjeve të vjetra
që brezat lidhin me zë dhe presin thonjtë
e mashtrimit shqip.

Rrjeta e shqyer e kanunit si ostakonjtë i ka zënë.

I dua armiqtë
e jo më miqtë,
por kur miqtë më bëhen armiq
i dua edhe më shumë! …

Foshnjat,
këto stoli që s’i dua
pse aq të pafajshme janë
po aq engjëllore
me këmbë gjithë baltë në djepe rriten,
punojnë …
shtëpitë të rrojnë.

Mirditë, dimër 2004


… e re ç’ka mbetur?!


Nata e vjetëruar
vjetërsisht naton,
dita e plakur
dritë të plakur derdh,
dielli i stërlodhur
mbi të lodhurin qiell tretet,
shiu vjen mundimshëm
mundimshëm bie,
era beh e kërrusur
e kërrusur frymon …

e re ç’ka mbetur?!


Tiranë, tetor 2005


O Haxhi Maqellara…!

…si vërvite dhe hyn brenda lotëve,
jetim,
parnasin kërkon në verën e gjakut
mes tre stinëve
përgjithmonë të paardhura;
nuk them se s’je blatim,
je këngë e çarë e shpirtit pa shërim,
Haxhi Maqellara!

Tiranë, shtator 2004







Paradoks vjeshte

Qeton nata sonte
shkurtaqe
pa ar
se hëna rrëshqiti
ra mbi mullar.
Artojnë së bashku kashtë dhe planet
habia rri thyer tek s’duket më vet.

Ja yjet tek ndrijnë
që lagë habinë
tek kashta … s’arrin!

Fier, prill 2005



Miti …

Shokizmi ngrihet mbi dekada
dhe rrëzon pa kurrfarë ndërgjegje
mitin atlternativë – ide,
miti i rrëzimit gjallon
frymon
komandon.

Ngrehina e të cilit sa vjen e bëhet më solide,
ndërsa aktorët - banorë
edhe më të egër…

Tiranë, verë 2004



Eklips

Doli dielli
sy nxirë,
babai i kombit tim

hëna e vrau
verdhërisht,
njerka e kombit tim.

Ne u ( lindëm ) u rritëm
dy barqe
s’dimë nga mbajmë;
shkojnë ca nga njerka,
ca shkojnë nga babai.

Fier, prill 2005




Më merren mendtë

Më merren mendtë nga ora
pse rrotullohet në minuta,
edhe nga muajt më merren
që rrotullohen nëpër javë,
nga viti bëhem keq
që nëpër muaj xhiron …

Por mendtë më shumë më merren
nga ty, njeri pa mend!

Tepelenë, korrik 2004




Ardena 1)

Pylli i Ardenës,
ky varr tutenkamun mban brenda
gjashtëqind mijë dridhma amerikane,
gjashtëqind mijë britma lirie,
miliona krisma nesërje
dhe rrugën pykë të Bestovës ngulur në kokën
e thinjur të këtij arkivoli hapësirë.

Nata, si lufta e thinjur vrapon,
këmbët e prera prej bombave ngatërron,
rrëzohet.

Jetën
nëna tokë nën mishin e saj ende e fsheh
duke ngritur atje
kështjella harrese së bashku me motet
dhe rrëzuar
po çdo mot
ato …

Tiranë, maj 2005

1) I kushtohet një divizioni amerikan që
luftoi në atë pyll, në luftën e dytë botërore



… dikur i thoshin Iliri!

Kur u vra Çamëria korbi e pa
dhe u zbardh,
kjo grua si e ve
që bredh me dhimbjen memece të çamëve dhe s’ndal,
vdes ullinjtë
detin
diellin
emrat e mëdhenj…
muret,
pastaj vdes lotin
e më pastaj gjakun?!

Nga koka, që s’është shami por flamur kuq e zi,
hartën e genit s’e heq!

E shtypur me Tavolina Fuqish të Mëdha
kujtesa zbret tatëpjetën e rrugëve goditur me mendje.
Në Artë,
Prevezë,
Follorinë,
Manastir,
Ulqin
që tani quhen plagë
… ka Iliri posht tyre!

Janinë, shkurt 2002


Momenti

Jam viktima e momentit të çastit
në liri burgosur
dhe në burg
i lirë.

Troket,
hyn djalli në shtëpinë
ku s’rri.
Shkoj e shoh

…momentin në çast
dhe
viktimën në zi…

Fier, tetor 2003




Ti shko, - më tha çupëza … dhe qau


Me vonesë do të shkoj që sot e tutje kudo,
edhe në vdekjen time me vonesë do të shkoj
do takoj të dashurën time më të re atë ditë
dhe takimin e pasradhës
do vonoj …

Në faqen e fundit të ditarit do të gjeni:

“ … u harrova mbi gjoksin e sarritur
që mosha porsi hojëza ia çau…

E di!
Duke pritur je, o takim i radhës!

… ti shko! – më tha çupëza …
dhe qau.

Durrës, dimër 2005

Kujtime të largëta


Stuhia për mesi i rrok drurët
e ngjeshur të pyllit të largët të rinisë,
kërkon t’i shkulë,
t’i hedhë mbi kurriz
dhe tek unë t’i shkarkojë.

…më ngjan sikur digjet zjarr,
sikur ngrohen
më ngjan.

Mëhalla e errët ndrin,
digjet zjarr,
kam të dashurën atje me dashurinë shqipe në duar,
plumbat e ngulur në kyçe që s’treten
qiellin e natës së parë të së dashurës së parë


… dhe stuhia erdhi
bosh!

Fier, verë 2004




… e kundërta ime!


Koha më shtyn përpara
drejt ecjes
që i bie prapa ecjes së saj të jetë.
Mes rrobave që do të vesh
mes ngrehinave që do të ngre.
Lyer me smog
me lot dhe ulërima të papërdorura
në historinë e ftohtë
njoh grimcat e të tërave,
ato që me mua të moskuptimta do të jenë.

Rishikoj epokat në skedarët e akullt të arkivolëve
… bosh.
I s’mundur të kaloj. Kapërcej.
Historia
ende s’ka mbërritur
… në rrugën e dëshirave të mia,
gjej një moment dhe kohën shtyj përpara
që i bie prapa ecjes sime të jetë.

- Shko drejt plakjes, - i them, - o e kundërta ime!

Apolloni, nëntor 2005





Toka jonë

… e hapur toka jonë.
Çati ka qiellin e lartë.
Kënga është e ngjashme me emrin e saj,
me dashurinë
dhe me urrejtjen është.
E hapur toka jonë:
sipërfaqe dasmash,
sipërfaqe lindjesh,
sipërfaqe burrash
ka dhe vdekjesh
dhe sipërfaqe varresh
ka
përshkënditje diamantesh.
E hapur është toka jonë
me kokë të hapur …

Ishte i saj dielli dhe hëna e saj është
… të gjithëve jua dha!

Tiranë, dhjetor 2003


Në qytetin tim

… era me pëllëmbën e saj të ftohtë
ku ditët për dorashka ka veshur
më rreh,
dimër e bëri stinën e faqeve të mia ky qytet.
Bie shi thashethemesh,
borë largësish,
tërmet jete.

… me çfarë ta mbështjell trupin tim,
familjen?
Ndërsa e nesërmja kalon përpara meje
jo shqiptare.

Apoteoza e një gëzimi pa kufij,
e vetmja lumturi që prindërit dhe kombi më dhanë
jetën gëlltit me zell si të gjithë…

Ç’më ka mbetur?

Zemra e dheut më afrohet ngadalë
dhe psherëtima jeshile e natyrës kokëqethur …

Fier, nëntor 2003



Geni


Nuk u lindëm ditën kur na lindën prindërit tanë,
kur placentën lamë dhe dolëm në dritë,
ne u lindëm ditën kur prindërit tanë u lindën
prej prindërve
të prindërve të tyre …

Në se dikush kërkon ditëlindjen time
ajo është në dy data lindjesh …

Brenda vetes po kërkoj veten…
kush erdhi:
unë nga prindërit
apo prindërit nga unë?


Patos, maj 2004



Raport

E bukura nuk është prapa
unë
pashë …
…të lidhur me litar të padukshëm stërnipërie
e tërheqim gjithë rrugë - jetës zvarrë
prapa – n.
Çudi
përpara nuk e përçmon
siç unë të përparmen
moshën time
që nga poli i veriut të shpirtit
kartolinë m’i nis …

… s’e di
e bukura është vërtetë e bukur?

E bukura është në ovaret e grave,në teste
apo në gjatësinë e njeriut?

Sarandë, verë 2004




Varre që bien nga sytë…

Si pshertima grash bien gjethet.
Pa jetë rrokullisen në token e virgjër të syve.

Pushka e vjeshtës vënë në syrin e dimrit, qëllon.pa luftë.

… shkon dikush,
në fytyrën time fshehur
me varre që bien nga sytë…


Tiranë, verë 2005



E çmendura

… shpesh ajo arnon perdet e yjeve
shpesh ajo i shqyen ato,
shpesh ajo vesh këpucët e vjetra
pantallonat e vjetra
brekët e vjetra
sutjenat e vjetra
xhaketën e vjetër
mendim të thyer.
Shpesh ajo mban kokë të vjetër
trup të vjetër
gjymtyrë të vjetra
bën shikime të vjetra
frymëmarrje të vjetra.

Vetëm fjalët
kanë frikë nga ajo
dhe të vjetrat e saj.

bukurinë …
oh, sa të re e ka?!…

Sarandë, verë 2005



… ligje lufte


Vjen deri tek porta ime tmerri,
i ftohtë
i bukur
dhe me kollare.

Vërshëllen era,
dielli nuk derdh dritë të zymtë,
qeveria “ Fuoristradë “ syze të errëta mban
sekretare me kokë zhveshur.
Nuk kanë kohë as të psherëtijnë,
vdesin të shtypura,
të thyera rrugët …

Gërrgërrin parlamenti,
doli jashtë përdorimit kallashnikovi…



Tiranë, dimër 2003


Dritarja e ditës

Nata akull,
xham për ditën është vënë këtë mëngjes.

Një vashë e mitur tek e lan me leckë
çdo kohë.

Ca “ maskarenj ” me hobe e thyen sot
që me mbrëmë përkon.

Të shohim
ç’xham do të venë të qënurit?!...


Lushnjë, janar 2005




… besim i verbër

Si tym u bë … vonë si re,
më vonë shkarkoi drama,
pastaj tragjedi
dhe më pastaj … gjyqe.

Që atëherë nuk besoj pa sy,
që atëherë qaj shpesh.

Gruaja në supet e saj vë çati
por edhe ajo … pikon …

Fier, dimër 2004




Flamuri …

…flamurin, që luftërat e shpuan,
me copa shpirti e arnuam
dhe që atëhere ky flamur
është shpirti ynë,
nuk është pëlhurë.

Kur ndodh ndonjëherë
që prapë e shpojnë,
nuk shpohet si dikur ai
po ku valëvitet klithma shtrati
i dërgon kombit mu në gji,

ku turret gjaku i valë i njerëzve
nga shtretërit
dhe lumenj vërshojnë …

Lushnjë, tetor 2005



Ritual ballkanik

për poetin Faslli Haliti

Dita ( e ) vret ditën, nata i hedh dhe’
në kokë qiparisin ia ngulin atje,
shpejt ia veshin qyrkun që së largu nxin
roje t’i rrijë murgut ta mbajë nën qefin.

Nata ( e ) vret natën dita i hedh dhe’
tek koka një mollë ia mbjellin atje,
shpejt e veshin mollën me fustan të bardhë
natës që poshtë varrit t’i duket se zbardh.

Ditë,
përherë t’i ngjaj,
kurrë perëndim
që çdo natë të vdes mbledhur me qefin …

Lushnjë, dimër 2006
kur poeti mbushte 60 vjeç



Gabimi


… nëse pendimi s’do t’ma vriste
gabimi im do të ishte gjallë,
tash një makinë për në varrishte
çon për çdo herë një funeral …

Tiranë, vjeshtë 2005



Roja

…e vranë qenin e shpirtit tim
të atdheut besnik,
përshpirtësit e mi e vranë,
hynin e dilnin në shtëpinë e shpirtit tim
pa kyç.
E vranë qenin e shpirtit tim,
tani
vrasës ka atdheu roja …

Tiranë, vjeshtë 2005


Gjaku i martirëve të Kosovës


Pas përmendoreve ngri dy xhami
i imi popull i Kosovës
dhe shko atje çdo ditë të falesh
po deshe ngriji edhe kisha
mbështetur shpatullash të jenë ato
dhe muri
ç’nxjerr minier’ e Trepçes.
Bler
të shoh nga Nishi ynë,
për nga Preveza Bill Klintoni
se shenjtët shohin shenjtërira!

Pastaj
një përmendore ty
do ta ngre vetë
Shenjtia Kosovë
dhe prapa saj Malin e shenjtë
me gjakun e martirëve të tu …


Prishtinë, nëntor 2004



Peizazh Mollos


Reflekse dimri në vatrën e braktisur Mollose,
thëngjinj
treten të vetmuar
atje.
Hiri i bllanët,
si spermë përdhunari nën vaginën e ngushtë
të oxhakut – krahinë,
ende i ngrohtë.
Dëshirat e shuara
mbi lëkurën e njerëzve mollosë
zgjohen si vullkane.
Thonjtë e stuhisë…të një dikur stuhie
hyrë deri thellë mishit të njomë
mbushur me ç’gërryen,
daljen e llavës kanë zenë.

Në jetë dhe në vdekje
peizazhin kanë vënë…


Janinë, shkurt 2002



… fragment historie

Nga e drejta e fituar
më heqin sa herë ndërron kostumin pusht – eti,
korridori ma komunikon,
siç duket ngjyrat qënkan armike të njëra tjetrës!
Jo se nuk di,
jo se shkollën nuk e kam bërë në shkollë,
jo se idetë nuk i kam të rrezikshme,
jo se s’jam shkrimtar,
jo se s’jam njeri
dhe të pavërtetën pikturoj me fytyrë të vërtetë dhe var në muret
e boshta të fytyrave të njerëzve!

Nga e drejta për të jetuar
më heqin sa herë pusht – eti kostumin ndërron,
rruga ma komunikon.
Siç duket
zyrat pushkatojnë hapësirat e njëra - tjetrës!
Varret e pambyllur bredhin në ambientet e qytetit,
varre që pinë raki,
që dehen, dehen,
varre që vjellin mbi fytyrën e qytetit …

Fier, verë 2003


Vdekje artistike

I ulur në shkallën e parë të amfiteatrit “ Botë ”
shoh tragjeditë e fundit të saj,
pa Shekspir,
pa Eskil.

Ulen lotët e parë
gjaqet e parë
shikimet e fundit …
dhe mbi veten time amfiteatri vdes …

Tiranë, verë 2003




Mora pushkën …


Më prenë gishtin
s’u ndjeva,
më thyen dorën
thashë : E theva!
Më thyen brinjët
s’rrëfeva,
më thyen këmbët
gënjeva,
më nxorën sytë
s’tregova,
më prenë gjuhën
e durova,
më sulmuan atdheun
rënkova …

mora pushkën dhe luftova.

Kukës, pranverë 2004



Ora pesë

Takimet i lemë në orën pesë.
Nisemi për udhëtime herët në orën pesë.
Në orën pesë
fillojnë seancat e pasditës të kuvendit të popullit.
Duart
këmbët me nga pesë gishtërinj
janë…
Në orën pesë shkojnë njerëzit në kishë dhe falen.
Në orën pesë edhe posta e pasdites vjen.

Ç’është kjo ora pesë?

… në orën pesë niset dhe një tren …

Fier, pranverë 2005


Shlodhja, vdiq…

Të lodhura lodhjet
mezi ngrihen
shlodhjes t’i shërbejnë…

Jargët e diellit
brigjet e natës me ditën
lidhin.

Shpirti duke ngrënë shpirtin
shpirtin gjen,
në majë të gishtërinjve ecën çudia,
edhe pse të lodhura
lodhjet e shohin

…mezi ngrihen!
Shlodhja vdiq
kujt t’i shërbejnë?


Patos, pranverë 2005


Kujt? …


Shpërndahet ftohtë,
difuzion me jone dridhëruese.
Himni i lirisë
tekst dhe muzikë arnat e shpirtrave të njerëzve të mi, ka.
e partiturë,
barkun e holl të ëndërrave shtatzana.

Shpërndahet ftohtë!…
Në kthinën e myktë të katedrales nudo
… dhiaku Llazar shkruan me bojë akulli biblën e re.
Njerëzit duan të shpirtërojnë!
… kujt?


Fier, gusht 2005



Atdhe, lahu !


Atdhe
të them vishu,
ti s’ke
as kostum madhështie,
as aureolë,
as kostum trimërie!
T’i vodhën një herë…
… dhe gjashtëqind vjet pa prerë…
Të them zhvishu,
vetëm lëkurën ke
dhe nën lëkurë ca fijëza të tejzgjatura mishi.
Atdhe
që vishe me re,
me llafe, me drama, me komedi,
në jetë, në vdekje, në dashuri.
Atdhe
o prehër qivuri
me këmbë
shtylla nderi të kohërave,
me krahë,
trarë lavdie, lakmie.
Atdhe
të them vishu
të them zhvishu
ti s’ke!
Atdhe lahu
atdhe !

Tiranë, shkurt 2005




Jeta


Po bien dhe gjethet e rinisë,
nuk erdhi vjeshtë,
dimër
jo.
Kërkoj nën degë,
nën gjethe,
rrënjë
dhe është kudo dhe s’është kudo.
Tutje
gjej një fëshfërimë,
është troku i vdekjes makutare
më tutje jeta më zë krahun
dhe sheh të sajin bark të rritur.


Kjo çupë që kurrë nuk u martua,
si bie me barrë…dhe vetë s’e di!!!


Fier, verë 2005



Bëni ç’të doni …

Turpin,
si kockën e fundit të moralit,
e hëngrën qentë.
Qentë,
si ngrënësit e fundit të kockave,
i vranë.
S’ka më
as turp,
as qenër.

Bëni ç’të doni tani o njerëz!

Fier, janar 2005


Burgu i poetëve


Shoh një grua mbytur në filxhanin e kafes
dhe askush s’e nxjerr prej ku,
ashtu siç shoh një burrë varur dhe vdekur
në llastikun e brekëve të asaj gruaje
dhe askush s’e ç’var prej aty.
Shuku i mizave dhe grerëzave
i qan duke ngrënë,
ndërsa merimangat thurin me fijet e tyre grackë
rreshtat e lamtumirës,
burgun e rëndomtë të poetëve …

Fier, maj 2005



Treni i Avernit


Nga dërrasa e gjoksit tuaj po gdhend ikona
për kishën Shën Jehonë,
që ngrita në majën e malit të besimit të kombit,
ku gjarpërinjtë e shtigjeve të vjetra shkojnë dhe predikojnë…

Treni i dërrasave të mia,
vende s’ka atje për t’u çuar,
stacionet i mbylla;
besimtarë,
ai s’ndalon.
… shkon drejt Avernit…

Tiranë, dimër 2005



Tablo

…udhët çapiten mbi mua
me hije ngjarjesh që ndizen
nëpër krisma faqesh e thyhen
në sytë e mi si kaonët.

Në ibrikë
gjethe dite ziej
rënë nga drurët venerë që nën nofulla skampinësh mbijnë
për natën,
nata të pijë.

Piktorët tek turren portretshëm
me tavallosë fluturash në duar
vrapin e udhëve tablojnë…

Tiranë, pranverë 2005





Poetët dhe qetë

… Poetët dhe qetë janë njëlloj,
shpirtra dhe ara lërojnë
bretku u bie por s’ndihen
bamp me bodece i shpojnë
dhe çelet ugari … me akra
dhe shtohen librat e shkruar …
tërë jetën poetëve dhe qeve
një kohëz s’u dhanë për të pushuar.

Kur plakja u vjen atëherë,
kur shpirti u kërkon qetësinë,
qetë i therin
i hanë
poetët i rrasin në çmendinë…

Tiranë, vjeshtë 2005




… hija e kufirit

Ruaj vijën,
jo imagjinatën,
siç mençuria shikon në çdo drejtim …

… porta e shtëpisë
është vijë e lirisë,

e hollë si cipë dite,
si neilon nate e hollë…

Por ja që unë me hijen e vijës u rrita
nën fetish.

Jo se frika më lajmëron për ndonjë rrezik,
është porta e atdheut tim
ikona ime.

Baba që ke vdekur,
origjinën nga e kam
nga vija,
nga hija?

Ulqin,verë 1993

Vjedhje vjeshte

I kureshtur pas ikjes së vjeshtës
hap garderobën,
sirtarët e veshjeve të saj
ç’veshi e nuk veshi
të palosura,
të varura në kremastarë.
Ngjyrat
era
vruku,
të vjeshtuara,
stolitë nuk i shoh.
Pranvera dëshmon se vera që do të vijë pas saj
tinëzisht ia ka marrë,
siç dimri
lakuriqësinë.



O Zot ç’po shoh!…
në fund të tyre
jeta ime…
… m’a paska vjedhur vjeshta për stoli!

Vlorë, vjeshtë 2005


Dyshoj…

Gënjeshtra e ka emrin
qeveri
shtet
pushtet,
vetëm Komb nuk e ka emrin gënjeshtra,
por edhe ai emër po më bën të dyshoj!
Gënjeshtra e ka emrin
udhëheqës
zgjedhje
votë,
vetëm Popull nuk e ka emrin gënjeshtra,
por edhe ai emër po më bën të dyshoj!
Gënjeshtra e ka emrin
mirëqenie
punë
lekë
vetëm Ndershmëri nuk e ka emrin gënjeshtra,
por edhe ajo po më bën të dyshoj!

Tiranë, dimër 2005




Akilët - Perëndi …

Hijet tuaja
lidhur me tendinin e Akilit përjetësisht
konfigurohen në çdo terren me fanatizëm
në trajta të ndryshueshme
me dhe pa personalitet
me mishin e gjallë lidhur përjetësisht.

Të çuditur armiqtë i shohin
dhe më çudi akoma,
me shigjeta
shtiza
ende nuk po i zgjidhin përgjithmonë këto hije shtrembërore
duke goditur Akilët - Perëndi?!

Tiranë, dimër 2004



Nuk po di …

Përpiqem të jem zëri yt i arsyes,
populli im
ti s’do!

Përpiqem të jem arsyeja e zërit tënd,
populli im
ti prapë nuk do!

Nuk po di ç’të jem!

… të jem paranormal … dhe të jem lamtumirë
apo të jem normal … dhe të jem mirupafshim!

Fier, maj 2006



Qetësia e fshehur

E quanin Eli budallaqen e klasës sonë,
bukuria përgjunjej para saj,
djemtë bënë seks për herë të parë
me atë

dhe natës kurrë nuk ia thanë,

e “ përbuznin ” ditën.

Ndodhte
që mungonte ndonjëherë ajo,
heshtja e prishte qetësinë me ankth,
vajzat merrnin fytyrën e Elit.



Kur ditën tjetër në derë dukej Eli,
tjetër qetësi kishte klasa atëherë,
… qetësi të fshehur
fytyrat e tyre merrnin vajzat …

Fier, qershor 2004




Folu armiqve!


Kur përshtypja të bind
se vetmia është brenda teje,
vetmia është bërë ti
dhe në sytë e tu
asgjë nuk ( hyn e del ) shkel
( se të la i dashuri,
se të la e dashura )

s’ je vetëm …
ke hijen tënde sa vetja me vete
( le të jetë hije )
ke erën
ke lulet
ke detin
ke bregun
ke lumin
ke shiun
ke pemën
ke edhe një zog pranë.
A nuk ke edhe nënën
që gjithmonë e thërret?!
Kur boshësia në burgun e vetmisë të ka futur
dhe të ka dënuar përjetë me burg,
s’je vetëm
ke armiqtë
… folu!

I vetëm as varri s’është
ka varret …

verë 2005, Fier





Këpucët e qorrave


Zgjohu ti që asnjëherë s’ke qenë fjetur
dhe i qetë
qep mbi perden e ditës
pëlhurën e bardhë të natës,
të paktën
kështu të jetë!

Pastaj
me gërshërët e kirurgjisë antike
palpebrat pre
dhe jepja ndonjë këpucëbërësi
këpucë të bëjë
për qorrat

dhe më pastaj
rri…fli
në mundsh
pa këpucë!…

Plazhi Seman, 19 gusht 2006




Djepet e fushave


Këto thërrmija rëre,
që më djegin lëkurën e shpirtit pa mëshirë,
me lakuriqësi të linjtë,
kanë shtëpi brenda,
kanë pallate,
kanë rrugë,
kanë ura,
kanë njerëz,
makina që ecin
hidrocentrale gjigandë.

Këto thërmija rëre
kanë anije, që lundrojnë brenda,
kanë sirena,
tragete
kanë të mbytur.
Këto thërrmija rëre
kanë varre brenda,
varre malesh
dhe malet që ende nuk e dinë
se varret e tyre
janë djepe për fushat.

Plazhi Seman, 18 gusht 2006






Ndarja e natës


Poshtë drurit,
ku jeshilja e pyllit prej miliona vjet
pret,
vjen gjithmonë nata për t’u martuar me ‘të
Shënimet e çmendura të poetëve shqyen
dhe priftin mjekërosh
me petrail e kamillaf ngjyrë floriri të yjeve
fton,
formulën e martesës
shpejt të lexojë

se “ nesër ” vjen shpejt
dhe nesër nata
ndahet …

Plazhi Seman, 19 gusht 2006




… frikë - fëmija


Lirinë e vranë në mes të sheshit
ishte kapërcyelli i burgut atje.
Me bukë në gojë,
bukë kishte në dorën e majtë, për bukë,
bukë mbante në dorën e djathtë, për djathë.

Zbathur
pa mbathje,
pa rroba,
pa opinga,
edhe gjaku zbathur
pa vena …
dheu s’e piu
ishte talasemike liria.

E vranë lirinë
në mes të mesit e vranë
ata që e dinin mire se ç’bënin.
Mbarsën shtëpitë e popullit
shtëpitë e njerëzve …
dhe lindi frika!
Çdo shtëpi ka një frikë – fëmijë sot.


Fier, 6 qershor 2004



Këmbët e mia

Këmbë shkelin
mbi fytyrën time të re - të vjetër
mbi mua,
mbi gjithçka të shenjtë,
të shtrenjtë,
sikur mbi rrugët pa rrugë.

Historia ime e vjetër - e re,
e veshur me pluhur nën pështymë
tinzare,
shpeshherë fatkeqe
struket se mos shiu e zë
dhe e kthen në shkëmb,
ashtu siç ka ndodhur katër herë
me shiun Romë,
me shiun Sllav,
me shiun Turk,
me shiun Grek.

Dhe me më shumë frikë
shikon si sot
( asgjë pa më thënë përsëri ).

Dikush këmbët e shekujve,
që shkelin fytyrën time të bukur, po pret! …
O Zot,
ato s’qënkan këmbët e shekujve,
këmbët e mia qënkin!

Tiranë, shtator 2005









Petraq KOTE

Lindi në Fier më 27 shkurt 1959. Arsimin fillor dhe tetëvjeçar e kreu në vendlindje. Në vitin 1974 – 1978 vazhdoi dhe mbaroi shkollën e mesme ushtarake “ Skënderbej ” Tiranë dhe prej vitit 1979 – 1982 studioi dhe u diplomua në shkollën e lartë të oficërëve “ Enver Hoxha ” sot akademia e Forcave Toksore ‘ Skënderbej ‘ për specialitetin fizkulturë.
Krijimtaria letrare hovi me librin poetik “ Këngë e Marrë ”, për të vazhduar më pas me “ Ranë
Këmbanat ”, “ Humbja ”, “ Muza ”, “ Këngë e pa rrëfyer ”, “ Këngët e Motmotit ” si dhe librin
me tregime në dy vëllime “ Ngjarje ndër Muzakë ”. Libri poetik “ Mirë se erdhe Lamtumirë!… ”
do të pasohet së shpejti me romanin “ Gjerana ”…

Është vlerësuar nga kritika, krijues, miq e lexonjës të tij brenda dhe jashtë kufijve kombëtarë.

* * * * * *




Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli

Petraq Kote rri zgjuar mbi vargje, ritme, figura, metafora… Ai vjen nga Apollonia e lashtë e Ilirisë, ku ngahera janë përkundur arti dhe poezia. I përket qerthullit të krijuesve të sotëm fierakë, që me veprat e tyre konkurrojnë lirshëm në tregun e vlerave të letërsisë kombëtare. Poezia e Petraqit është poezi e një shpirti të rrebeluar, që s’pajtohet dot me gjendjen në të cilën është katandisur atdheu i tij. Ai urren dogmat e të gjitha llojve, që kufizojnë lirinë njerëzore dhe proteston zëshëm kundër tyre.
Kote është mjeshtër i peizazhit myzeqar, të cilit i jep një dimension universal.Vargu i tij është i gjallë, dinamik, përplot tension emocional.. Në vargjet e këtij libri buçet zëri i një poeti që ka unin e vet; një zë thellësisht njerëzor e burrëror, që përballë së rëndomtës, absurdit e banales, vë ëndrrën për një botë më të mire e më njerëzore, ku njerëzit do të jenë njerëz e jo varre.
Kemi të bëjmë me një poezi që komunikon direk me jetën dhe njerëzit e jo me vargje libreske, çfarë ka shumë në kohën tone. Në vend të skemave e kallëpeve letrare, Kote preferon fjalën e gjallë e të frymëzuar poetike, ku nuk mungojnë gjetjet interesante, ritmi dinamik dhe figurta, here- here, surreale.
Prof. Agim VINCA

Janë disa vargje, që poeti i ruan për vete e s’i nxjerr në dritë, ngaqë i vlejnë më shumë atij, sesa lexuesit… Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve, që e shkruaj poezinë, midis vargjeve magnetike që nuk shkëputen lehtë prej vetes, do veçoj:
“ Zgjohu poet … zgjohu poet / autopsinë t’i bësh kohës së vet! ” . Shprehem pa frikë se vetëzgjimi i poetit është tejet i ndërgjegjshem, tejet qytetar, në këtë libër dhe fryma e distikut të mësipërm të shoqëron nga poezia e parë deri tek më e fundit…
Alfred Mehmeti




Petraq Kote shkruan poezi të fuqishme që i burojnë nga thellësia e shpirtit. Ato të tronditin,
të emocionojnë, janë të freskëta dhe thellësisht origjinore…

Halil Jaçellari